Monday, 11 January 2016

Në vend të hyrjes

     Unë i besoj fatit të shkruar ose më saktë projeksionit tonë në këtë botë, misionit për të cilin kemi ardhur dhe që një ditë se s'bën do rebelohet nëse vazhdojmë të mos i kushtojmë rëndësinë e duhur. 
Disi kështu ndodhi dhe me mua, ndaj përfundimisht vendosa ta dëgjoj zërin e brendshëm dhe ta ndjek deri ku do më çojë varka e tij. Për këtë vendosa të hap një blog.

    Sot quhet blog, por përpjekjet  për të krijuar diçka timen ku të mund të shprehesha, e kanë zanafillën shumë vite më parë, kur së bashku me shoqet e mia përpiqeshim të krijonim nja gazetë shkollore në klasën e 6-të... duke i shumëfishuar me shkrim dore (!!!) Përpjekja e dytë do të ishte në klasën e 7-të, ku si mjet shumëfishimi gjetëm një printer mekanik që na u vu në dispozicion nga punonjësit e Bashkisë. Kuptohet që aq të vogla dhe në provincën e cila nuk ofronte asnjë mundësi për ta kultivuar pasionin tonë, të gjitha përpjekjet tona hasnin dështimin e sigurt. Derisa më në fund, pas shumë këmbënguljesh por dhe ndihme kësaj rradhe nga im atë gazetar, i cili na gjeti një shtypshkronjë të vërtetë, arritëm në vit të tretë gjimnaz të nxirrnim gazetën tonë, të parën në llojin e vetë për qytetin,  "Tis Rinor" e cila u shpall dhe gazeta më e mirë shkollore në rang republike. Prej asaj kohe, asnjëra nga të 4-ta ne botueset nuk u mor profesionalisht me gazetarinë, me përjashtim të disa rasteve sporadike kur frymëzimi ose më saktë rebelimi ynë i brendshëm kërkonte një audiencë më të gjerë se rrethi shoqëror. 



   Vitet kaluan, kapitullin e ëndrrës për t'iu dedikuar gazetarisë e mbylla  me krijimin e familjes dhe lindjes së fëmijës, jo pa keqardhje por me besimin se ishte zgjedhja e duhur për të mirën e familjes. Por aty ku beson se ia ke zënë frymën zjarrit, ai sërish krijon një vatër të re nga e cila nxjerr  kokën një flakëz që pretendon të ndrijë errësirën e brendshme ku e ke ngujuar. U krijua facebook, mjeti i cili u erdhi në ndihmë të gjithë atyre që kishin një zë dhe e përdornin pak atë. Unë shkruaj se kam diçka për të thënë,- thotë një shprehje e mençur dhe disi kështu për ditë të tëra, ndër vite të tëra ëndrra ime për të ndihur sadopak buzeqeshjet e njerëzve që më lexonin, sa vinte dhe bëhej më e prekshme. Kisha kuptuar se ndoshta misioni im në jetë ishte tu ndriçoja sadopak ditën atyre, shpirti i të cilëve po zhytej në errësirën e stresit të përditshmërisë. E bëra me zell: postime për të qeshur, postime për të qarë së bashku, postime për tu dhënë optimizëm, për ta parë me pozitivitet jetën, për tu dhënë frymëzim për vepra të bukura, muzikë, fotografi, informacione ngjarjesh kulturore, pastaj skica, krijime personale, përkthime nga autorë të ndryshëm, promovim autorësh të tjerë...gjithçka për të krijuar një hapësirë ku të rriheshin mendime dhe të trumbetohej shpresa....

   Pas pothuaj 8 vitesh veprimtari të përditshme në facebook, erdhi momenti kur zëri i brendshëm më dikton se mund të bëjë më shumë se kaq, se mund të ndikoj më shumë për ta bërë botën një vend më të këndshëm për të jetuar, se mund të përpiqem më tepër dhe të nxjerr më në pah atë energji të presuar të gjithë këtyre viteve në kërkim të misionit tim dhe ta kthejë atë në një burim drite për të gjithë ata që si mua kaluan në një tunel të errët një periudhë të jetës së tyre. Për këtë krijova këtë blog, si një pikënisje i një udhëtimi të bukur që quhet krijimtari dhe që në qoftë se fryjnë erëra të mbara, ta çojnë varkën time drejt një destinacioni të shumëndërruar i cili është një botë akoma më humane. 

Erërat, Zoti apo Fati që s'i kemi në dorë dhënçin bekimin e tyre, miqtë dhe lexuesit pëlqimin e tyre... 

No comments:

Post a Comment