![]() |
| Shtëpia e gjyshërve, Sotirë, Gjirokastër |
Gusht 2015, Sotirë.
Kjo është shtëpia më e vjetër e kujtimeve të mia. Pas kësaj dere ndodhet gjithë historia e familjes sime, prindërve, gjyshërve, stërgjyshërve, katragjyshërve...ndoshta dhe më tepër. Unë për ata të parët nuk di shumë gjëra, sepse traditën tonë nuk e karakterizon shumë gojëdhënia, por nga historia e afërt di se poshtë asaj çatie u rritën njerëz vërtetë të çmuar, që i dhanë botës pasardhës dinjitozë, ndoshta jo të famshëm por të mirëvlerësuar nga ambjenti shoqëror ku jetuan.
Kisha dëgjuar që një tërmet i fortë e kishte rrëzuar pjesërisht në vitet '60, por ky fakt parë nga këndvështrimi i sotëm nuk përbën aspak një fatalitet, porse veç një motivim të mirë për të ngritur mure akoma më të forta guri, të cilët i bëjnë ballë viteve në mënyrë stoike, pa asnjë lloj përkujdesje njerëzore tashmë.
E shoh dhe një lloj trishtimi më kaplon qënien...sa shumë u munduan të parët e mi për të ngritur një ndërtesë të tillë të bukur, sa përpjekje për ta mirëmbajtur dhe zbukuruar me gardhe dhe kopshte të lulëzuara, hardhitë e krasitura dhe pemët frutore të pozicionuara simetrikisht, tjegullat e kuqe të renditura si prej arkitektësh dhe kalldrëmet e sheshit si prej zanatçinjve të Gjirokastrës. Shumë art kishin brenda tyre njerëzit e fshatrave, këtë mund ta lexosh fare qartas nga e gjithë pamja që ndesh në shtëpitë dhe oborret e tyre.
Tërheq derën...Sot aty nuk jeton më njeri. Muret mbahen akoma dinjitozë, por pa shpirtrat njerëzorë brenda tyre, janë një kolateral me vlerë zero, mureve pa shpirt nuk u afrohet më askush. Natyrshëm më lind dyshimi, nëse ia vlen gjithë ai mundim dhe investim në jetë për të poseduar objekte, të cilat dikur asnjë nuk do ti shohë më aq të vyera sa ç'i pe ti që luftove për ti ngritur. Stërgjyshi dhe stërnipi nuk mund të kenë të njëjtat sisteme vlerësimi për gjërat, atëherë përse kaq përpjekje për të patur dhe lënë pas asete të çvlerësuara nga koha dhe moda?! Sikur njerëzit të jepnin kaq shumë nga vetja për të ngritur dhe mirëmbajtur marrëdhëniet njerëzore, jam pothuaj e bindur se do u linin pasardhësve një aset më të vyer se një shtëpi, do të ishte një botë më humane dhe më e këndshme për tu jetuar. Por nuk e bëjnë, duke u lënë brezave të tjerë kështu një planet që po tejmbushet me dyer të mbyllura pas të cilave japin shpirt rrënoja investimesh të pamendta....
Dyer të mbyllura shtëpish, që influencohen nga rryma të akullta ajri që krijojnë dyert e mbyllura të zemrave, në një cikël vicioz ku makutëria njerëzore shfaqet në groteskun më të madh të saj. Njerëz që vijnë e njerëz që ikin nga kjo botë, kalimtarë por me vizion të përjetshmish, të përkohshëm sa fati i tyre i shkruar, të pangopur sa fantazia e tyre e palimite. Dikush, dikur duhet ti shkundë nga ky protokoll i mirëcaktuar i njerëzve të shpellave që krijuan strehën e parë, sepse nuk është kamja që e bën një jetë të vlerë por njerëzit që krijojnë ambjentin e jetueshëm. Të luftosh për të ngritur mure të cilat më pas do mbajnë jashtë njerëzit e tu, është njësoj si të ndezësh barutin rreth teje për tu ngrohur, në fund do kesh dënuar veten...
Janar 2016, Athinë.
Pas derës në shtëpinë e gjyshërve, tërhoqa dhe atë të shtëpisë së prindërve e më pas dhe atë të shtëpisë sime. Udhëtova me kilometra larg për të hapur një derë të re, nuk është imja, dikush tjetër e kishte ngritur për fëmijët e tij të cilët as e morën mundimin të jetonin një ditë në të, e lëshuan në duart e një të huaje si puna ime për ta kollandrisur si ti dojë qejfi, në shkëmbim të ca kartëmonedhave. Unë nuk e di nëse do rri gjatë apo pak në shtëpinë e muratorit plak, me ndryshimet kaq drastike të politikave të shteteve madje nuk di as nëse do zgjedh të jetoj më këtu apo do migrojë për gjetkë. Ajo çka më parë konsiderohej pasuri e paluajtshme, duket tashmë se është më e luajtshme se kurrë sepse shtëpi është aty ku ti vendos të rrish, jo aty ku paraardhësit e tu ndërtuan që ti të rrish...prandaj ajo çka më mësoi filozofia e derës së mbyllur është se pasuria e vërtetë e paluajtshme në jetët tona të shkurtra janë njerëzit, ata do jenë kudo dhe kurdo me ty, në mendim, në zemër, në përkrahje dhe në përpjekjet e tua. Në netët e tua pa gjumë, në sukseset e tua, në zhgënjimet dhe në entuziazmet, në lodhjet por dhe në shpërblimet...nëse ti ke investuar në lidhjet me ta, ajo të kthehet shumëfish. Financierët e quajnë vlera në kohë e parasë, unë do e quaja vlera në kohë e njerëzve; sa më shumë ti hap dyert e zemrës dhe shpërndan mirësi, sa më tepër ti i lejon miqtë afër zemrës, me kalimin e viteve do konstatosh se zemra e jote është bërë aq e madhe sa një strehë e vërtetë dhe ti do ndjesh ngrohtë, ashtu si muret e shtëpisë të mbrojnë nga suferinat e motit ashtu dhe muret njerëzorë do të të mbrojnë nga suferinat e jetës.
Unë e kam provuar, ndaj nuk kam frikë nga dyert që mbyll pas...dyert ama e kanë një maraz dhe nuk rrinë pa e thënë sa herë tentojmë ti rihapim, dëgjojeni kërcitjen e tyre, është rënkimi nga mungesa e dorës njerëzore...edhe dyert e ndjejnë atë mungesë...


No comments:
Post a Comment