Monday, 24 October 2016

Monologu i një qeni të braktisur


Nuk shoh më, nuk dua të shoh... ndjej. Nuk është se e kam humbur shikimin, por jeta më ka mësuar të mos u besoj më syve të mi, diçka më e thellë është e vërteta, ndaj kur më flisni mos u mundoni të dalloni një mendim në sytë e mi, ata janë tashmë vetëm një dekor i fytyrës sime ose një dritare nga ku mund të sodis bukuritë e Universit. 

Kur isha më i ri dhe i parrahur me jetën, një buzëqeshje do na ngrinte zemrën hop, do rendja me vrap për të rrëmbyer të  parën përkëdheli, të parën lëvdatë e pastaj do turresha përpara për tu bërë mbrojtës i betuar i buzëqeshjeve, detyra ime ishte ti ruaja me fanatizëm ato, njerëzit që kisha pranë nuk duhej kurrë ti humbisnin.
Ishin kohë të bukura, nuk mund të them, kohë me bollëk dhe moskokëçarje, lodhesha vërtetë në turravrapin e përditshëm por nuk ndjeja përtesë, ideali mbi të gjitha kishte rëndësi dhe unë isha roja i tij. Ideali i të gjendurit njerëzve pranë kur kishin nevojë...

Çuditem me njerëzit kur thonë "qen i pabesë", asnjëherë s'u përpoqa të bëja diçka që i prekte ata, kurse ata...oh, ata, kur lëvizën nga shtëpia modeste drejt një apartamenti më të mirë, e menduan si më të udhës të më jepnin lirinë time. E ç'ta bëja unë lirinë kur thuajse gjithë jeta ime kishte qënë një mision për të mbrojtur familjen time?! U irritova pa masë, por veç një dhimbje të fortë në stomak dhe netëve pa gjumë, asgjë tjetër nuk qullosa, isha në kolaps total. Më besoni, nuk paska ndjenjë më gërryese se zhgënjimi pas një dedikimi! Qysh atëherë fillova të humbas besimin dhe vërtetë jam kthyer në një  të pabesë apo të pabesim. Dalëngadalë fillova të mos u besoj më as syve të mi, ata më morën në qafë...ato buzëqeshjet hokatare, ato përkëdhelitë e shpenguara në dukje që e kanë një datë skadence në fakt.  

Nisi për mua një etapë e re. Këtu jeta nuk mbaroi, përkundrazi, sosi ajo e gënjeshtërta, vitrina, nga ajo ditë filloi jeta e vërtetë. Ishte momenti kur vendosa të mos shoh më, por të ndjej. Nuk është se bota papritmas u bë më e bukur, siç mund të imagjinoni, nuk është as se pushova së zhgënjyeri herë pas here nga njerëz që tinzarllëkun e kanë kthyer në art, por të paktën i krijova zemrës sime një mburojë pothuaj hermetike, për ta ruajtur atë nga mirësitë e rreme. Mësova të mos i shoh më njerëzit as nga ajo që thonë e as nga ajo që përpiqen të më bëjnë të besoj...veprimet e tyre kanë një zë më kumbues nëse di të ruash qetësinë dhe të mos hutohesh pas gjesteve shpërqëndruese. Unë e kam mësuar këtë marifet tashmë dhe mund të deklaroj me garanci pothuaj të plotë se kam arritur ti njoh njerëzit duke i ndjerë ata.

Talenti i ri që kam fituar më ka bërë të kuptoj se shumica e tyre lundrojnë në pellgun e kompleksiteteve që përftojnë gjatë gjithë jetës së tyre ku varkë kanë improvizuar egoizmin e tyre kurse rrema kanë shndërruar ata që iu dedikohen.  Nuk është kamja apo ngritja në pozita shoqërore ajo që i kthen ca syresh në vampirë  zemrash, nuk janë as arritjet në jetë; mirëqënia në rastin më të mirë do i bënte më bujarë dhe në rastin më të keq më sensibël karshi atij më të dobëtit. Nuk janë as vuajtjet dhe as përpjekjet për ti arritur të mirat që kanë, përkundrazi ato do i bënin të vlerësonin më shumë  ndihmën e të tjerëve. Njerëzit që të flakin pasi u ke shërbyer, i kanë dhënë sinjalet por ti nuk ke patur sy për ti vërrejtur ato, sepse e vetmja gjë që të ka interesuar është tu shërbesh, tu jesh afër dhe të ndihesh i vyer për ta. Provo në një marrëdhënie të tillë të rebelohesh, të mos shkosh sipas rregullit të caktuar prej tyre, provo tu prishësh rehatllëkun apo të krijosh një rehatllëk dhe për vete, provo! Provo dhe mos thuaj pastaj që u zhgënjeve kur të përzuri, sepse zgjodhe vetë të shihje kur duhet të ndjeje... erën e pabesisë njerëzore. 

Mos u ligështo, të dhëmb e di, jeta qenka një dhimbje e madhe...por mos mendo se dikush është i përjashtuar nga kjo. Qofsh ti qen rrugësh apo njeri vilash, kur dhimbja troket, ke nevojë për të gjithë ti kesh afër, si ata që mbajte dhe ata që flake...ndryshimi qëndron se kur je mësuar të flakësh, me gjasë në ditën e madhe.... s'do kesh askënd aty për ty.... 

Sunday, 23 October 2016

Cigarette

Unë jam cigarja. 

Nga hiri im i mbetur sonte, po mbledh forcat t'ju shkruaj historinë e jetës sime. E di që shumë nga ju më keni gjykuar dhe shumicën e kohës më keni konsideruar si fytyrën e të keqes. Mund ta kuptoj thjesht fare nga fotografitë e mia varur gjithandej me shenjën e ndalimit mbi to, nga diskutimet e shumta nëpër TV, nga taksat në rritje që i vini shpërndarjes sime. Unë jam e padëshirueshme dhe jam plotësisht e ndërgjegjshme për këtë! Unë jam ky sendi i vogël pas të cilit keni varur hallet, shpresat, dhimbjet, ankthet, tangelliqet dhe prapë mbetem e urryer. Më keni dënuar pa më dëgjuar, më përbuzni pa ju ngacmuar, a nuk më takon dhe mua një e drejtë legjitime mbrojtje para ekzekutimit?! 

Përpara se të katandisesha në hir, isha dhe unë dikur një bimë e bukur që jeshilonte kodrinat në hektarë të tërë. Kur flladi frynte dhe përkundte gjethet, një valë hareje përhapej nëpër të gjithë pllajën, ndihej sikur deti kishte marrë ngjyrë të blertë dhe kishte sjellë baticën atyparë. Lulëzova dhe unë si gjithë të tjerat, duke ndjerë mrekullinë e jetës tek lëvrinte nëpër kapilarë dhe bota ishte një gëzim, derisa...derisa dikush vendosi të më këpuste fillin e jetës dhe të më nënshtronte në një procedurë të dhimbshme tjetërsimi; tharje, stazhionim, prerje, presim, filtrim, paketim, izolim...Dikur një bimë plot gazmend, tani një send pa jetë futur nëpër paketa-arkivole. Vdekja ime për kënaqësinë e njerëzve!!! Sa do mund të duroja?! Më prenë jetën, më torturuan, më fabrikuan, më tregëtuan dhe në fund më vunë flakën thjesht sepse disa nuk janë të zotë ti rezistojnë realitetit pa paterica mbështetur tek të tjerë. As vetë nuk arrij të kuptoj varësinë që krijoj...jam unë apo dhimbja ime e presuar në një tub letre që më bën aq tërheqëse ndaj vesit njerëzor?! Nuk mund ta them me siguri absolute, por di që sa më fort buzët thithin filtrin që më kanë vendosur si nënkresë, aq më tepër dhimbja ime kërcëllen dhe zbret drejt mushkërive me revoltë të paparë. Ato çaste ndjej se dua ti vras njerëzit! Ato çaste kërkoj shpagim! 

Më kuptoni, nuk kam asgjë me racën njerëzore. E imja nuk është një luftë në thelb, është një vetëmbrojtje, ti më vret-unë të helmoj. A nuk duhet të trajtohet vetëmbrojtja ime si rrethanë lehtësuese ndaj dënimit dhe të më lejojnë të jetoj e lirë tek kodrina, ku rrezet e diellit të luajnë me kloroplastet e mia dhe era të krijojë vizione dallgësh deti në qëndër të tokës?! Të më lejojnë të gjelbëroj biotopin tim dhe ti jap piktorit ngacmimin e duhur për të kapur penelin, fotografit impulsin për të rrëmbyer kamerën, vjeshtës zilinë ndaj pranverës, tokës pak më tepër bukuri?! E di që kërkoj shumë...veshët e mi kanë degjuar pa fund histori homo sapiensash për të besuar në një fisnikëri të tillë të natyrës njerëzore. A nuk e përdorin dhe ata sho-shoqin në këtë mënyrë dhe në fund e flakin kur nuk u hyn më në punë?! A nuk flasin dhe ata për ngritje nga hiri i pabesisë njerëzore për një hakmarrje të merituar?! Pak a shumë ky është dhe rasti im, ndaj do ju kërkoja ta hiqni fotografinë time nga këndi i të keqes, nuk më takon. Nuk jam unë për te banka e të akuzuarit, unë jam veç viktima. Vendosni aty njeriun! Ai dhe vetëm ai është e keqja e vërtetë që i kanoset botës....dhe nëse s'ndërgjegjësoheni për këtë, atëherë mos u çudisni kur cigarja e kthen në hir njeriun pas ca vitesh....