Jetë. Të lindësh mes dhimbjesh, të dhëmbësh atë që të
jep jetë. E kështu të vazhdosh gjithë kohën, të përpiqesh, të mundohesh, të të
lëndojnë, të lëndosh...ca me kast, ca pa dashje. Të biesh e prapë të ngrihesh,
të qash, të qeshësh duke mos ditur më çfarë është normale. E lodhur, e
zhgënjyer, shpesh herë e vrarë, por kokëfortë, i mbijetove dhimbjeve kur ishe
akoma kërthi, duhet të dish të mbijetosh tani që je e rritur, kur instiktet i
kanë lënë vendin llogjikës...edhe pse të shumtit me kalimin e viteve e kanë
humbur atë. Mendoj, mendon, mendojnë...mendojmë se mendojmë, kur në fakt
shumicën e kohës zhurmojmë neuronet tona pa sinjalistikë dhe pastaj derdhemi me
vetbesimin se llogjika jonë është e mirëorientuar, ndërkohë që harrojmë se jemi
vetë ne polici rrugor dhe shoferi dhe makina. Vetë krijojmë shpejtësinë, vetë
shkaktojmë kaosin, vetë përplasjen, vetë viktimizohemi, detyrë e jona të çohemi
dhe të pastrojmë pjesët e mbetura mbi asfalt. Shoferë ne, shoferë ai përballë,
familjari, i dashuri, miku, farefisi, gjitoni, kolegu, i panjohuri...respekto
rregullat e qarkullimit të mos kemi përplasje, por e kotë, kur nuk derdhet gjak
rregullat nuk merren dhe aq seriozisht. Ah, sikur dhimbjet të dilnin jashtë në
formë materie, sa të kujdesshëm do ishim me fjalët që themi, me veprimet që
bejmë, me indiferencën, me apatinë, me neglizhencën, me ironinë, sadizmin,
përçmimin...por s’dalin, djegin botën e brendshme si llavë dhe nëse s’merr masa
të ngresh mure mbrojtës, shumë shpejt do ndjesh brenda vetes një shkretëtirë,
ku asnjë lule nuk lulëzon, asnjë syth nuk çel, asnjë zog s’cicërin, asnjë
emocion nuk lind. E përkohshme apo kronike?! Varet sa hapësirë i jep. Madje
varet dhe se sa rëndësi i jep. Nëse të lëndojnë, varet sa vlera u jep. Nuk
varet nga ata, varet nga ty dhe vetëm sepse nëse dikë ti e konsideron gjeneral,
për dikë tjetër është vetëm një zbatues urdhrash, rivlerëso gradat që u jep
njerëzve....
Shiko vërdallë, sot është dimër, ngrica ndoshta kanë zënë shpirtin tënd,
bryma ndoshta u ka zënë frymën emocioneve, akulli ndoshta ti ka tkurrur
ndjenjat në fole. Por sikur pak besim të kishe, ti jepje kohës kohë dhe zemrës
kurajë, të mos e humbisje besimin te fara njerëzore sado zhgënjime të kesh
pësuar, atëherë do shohësh se nga ajo farë, kur moti të ngrohet dhe qielli të
çel, kur zemra të zbutet dhe ti lejojë burimet e saj të shpërthejnë...pikërisht
nga ajo farë do lind ndjenja më e bukur që ke ndjerë ndonjëherë, dashuria për
veten dhe vlerësimi për të, besimi se je e zonja t’ia dalësh mbanë gjithçkaje
siç ia dole dhe kësaj dhe pastaj të vazhdosh e qetë, e ke kalitur shpirtin si
ushtar të zellshëm të mos pësojë disfatë në kësisoj betejash.... Njerëzit
që na rrethojnë e kanë për detyrë të na stërvisin në të këtilla llogore, e
tillë është natyra njerëzore, detyra jonë është t’u tregojmë atyre se lulet e
forta lulëzojnë dhe në shkëmbinj, sepse e tillë është natyra e luleve speciale...
