Nëse ka diçka në të cilin Ligji i Mërfit aplikohet plotësisht, është pikërisht ai momenti kur ke pulitur sytë për gjumin e mbasdites, i lodhur ashtu siç je pas pune dhe buke dhe papritmas mbi komodinën në krah kërcet zilja e telefonit...thirrje apo mesazhe në viber, whatsapp, messenger, snapchat, imo, hangouts etj, etj dhe nga ajo gjendja në përhumbje totale, papritmas e gjen veten duke biseduar gjithë gjallëri mbi të gjitha prapësirat apo mbarësirat e ditës me shoqërinë. Iku gjumi...Prit të bëj një kafe, - iu them- dhe kthehem sërish shpejt.
Kafe unë, kafe ato, secila në folenë e vetë të ngrohtë, pa besdinë e fqinjëve të tavolinës në krah që do kthenin kokën po aq shpesh sa dhe të qeshurat tona të befta. Ja disi kështu, mediat sociale zëvendësuan në një pjesë të madhe komunikimin nga afër dhe tavolinat nga të përbashkëta u bënë të përhapura gjeografikisht, ndaj dhe natyrshëm lind dyshimi nëse ato u shpikën për ti sjellë njerëzit më afër apo për ti mbajtur më larg fizikisht ata?!
Dhe ishte pikërisht një moment i tillë zgjimi nga zilja e viberit, që më ngacmoi në një analizë të shpejtë se si kishin evoluar kohërat. Para disa vitesh, rreth orës 18.00, gjitonia përballë, vetëm ose me gjitone të tjera, do vinte në shtëpinë tonë për kafe. Sinjali ishte trokitja e derës 3 herë, bam-bam-bam me pak shkeputje trokitjet nga njëra tjetra (dhe viberi ka tri dridhje në mos gaboj). Ime më edhe në patë qënë shtrirë, do çohej të hapte derën ose do thërriste mua ta bëja sa të bëhej gati.
Rituali dihej, fqinja do drejtohej për nga dhoma e ndenjes ndërsa nikoqirja e shtëpisë (mamaja ose unë) sa pa arritur ajo të ulej do e kishte vënë xhevzenë në zjarr, përgatitur tabakanë me filxhanët dhe një amaretë në pjatë dhe do rrinte në gadishmëri për të hequr kafenë para se të fryhej. (Meqë rra fjala, e dini besoj se një kafe e mirë turke bëhet në zjarr të avashtë, duke e trazuar lehtë herë pas here, derisa te fryhet. Mund ti hidhni pak ujë të ftohtë në fund, që të ziejë çik më shumë dhe shija e mirë është e garantuar.)
Gratë brenda do kishin filluar bisedat e tyre të zakonshme mbi ato çfarë gatuan, hëngrën, çfarë pastruan, si i pastruan, çfarë u mbeti pa pastruar dhe çfarë do pastronin të nesërmen, komentim i të rejave të edicioneve të lajmeve, ndonjë diskutim rreth spektakleve apo serialeve që shfaqeshin në TV dhe natyrisht tonet do ngriheshin ngapak kur në bisedë do fuste hundët tema e politikës (e si mund të rrinë shqiptarët pa bërë pak politikë edhe në orë të çlodhjes!!!)
Ky ritual zinte vend çdo ditë, me përpikmëri gjermane për dekada të tëra, me planifikim ekzakt, një ditë në shtëpinë tonë, një ditë te komshia dhe kur ishin më tepër se dy, atëherë takimi te ne qëllonte në çdo tre, katër ditë.
Në provincë, kjo konsiderohej ora e argëtimit të grave, pasi opinioni vendas nuk i favorizonte shumë daljet e tyre nëpër lokale. Edhe nëse qëllonte ndonjë tipe që sfidonte mentalitetin, do ta shoqëronte atë të shkretë kafe që do pinte, me dhjetra vështrime shpotitëse dhe komente në heshtje të komunitetit mashkullor vërdallë. Të ikje po deshe të pije kafe pa marrë veç faturës dhe ndonjë damkë! Natyrisht kishte plot "trime" aty që e snobonin atë realitet, por rasti i nënës sime dhe shoqeve të saj nuk ishte ky, ato e konsumonin të qeta dhe të çlirëta kafenë e tyre në orët e mbasditeve larg kokëkrisjeve të tilla. Edhe bisedat në pjesën më të madhe të kohës zhvilloheshin të paqta, shumica e grave ishin arsimtare kështu që impononin një lloj respekti solemn me tonin e tyre të ulët. Ne fëmijëve nuk na lejonin kurrë të merrnim fjalën, mund të dëgjonim por jo të flisnim. Personalisht, të drejtën e diskutimit me gratë e fitova pasi shkova në shkollë të lartë, kështu ndoshta e binda mamanë që nuk do e turpëroja kur të hapja gojën...se pavarësisht se njiheshin që nga bankat e shkollës vetë, korniza dhe etika e sjelljes duhej ruajtur me fanatizëm. Ah, ato mësueset e kohës së Enverit!!!
Dhe ja, të gjitha këto mu kujtuan sot teksa viberi kërciti mbi komodinë. Dridhja e tij më solli tamam ndjesinë e trokitjes së gjitones me sinjalin standart bam - bam - bam dhe një mori kujtimesh vërshuan në kokën time pa më marrë leje. Dhe ishte sikur të isha ulur në dhomën e ndenjes, me aromën e kafesë që çante ajrin, me bisedat e ngrohta me zë të ulët të grave të pallatit, ndonjë romuz tek tuk që ia hidhnin njëra tjetrës, zhurmën e gjerbjes së kafesë, shoqërimin me sy sa të fytyrës së njërës dhe të tjerës, me largimin në heshtje të tyre pastaj për te dera e jashtme, natën e mirën dhe kujtimin për takimin e së nesërmes....i cili zgjati për plot 40 vjet.
E futur nën atmosferën e këtyre ndjesive, nuk pata më dëshirë ta merrja telefonin dhe ti ktheja përgjigje viberit që priste për gjatë tashmë, e dyzuar mes dy epokash nuk dija më nëse ishte më mirë ta pija kafenë duke shtypur tastat në një komunikim virtual, apo ti ftoja shoqet për një kafe reale. Kujtimet më vunë në dilemën e ngrohtësisë së bisedave brenda shtëpisë dhe akullsisë së mureve edhe kur bisedat virtuale mund të jenë shumë më cilësore se atëherë.
Vendosa përfundimisht të mos kthej përgjigje dhe të rri larg diskutimit të sotëm. Të marr një fletë dhe një stilolaps dhe të hedh në të të gjitha këto ndjenja të trazuara të zhvillimit të marrëdhënieve shoqërore në harkun kohor jo më të gjatë se të një dekade. Duke kujtuar e shkruar e kapja veten shpesh me buzën në gaz, duke buzëqeshur me situatën komike që më duket tashti ajo kohë, por kur vendosa pikën e fundit, gëlltita lotët...e ç'nuk do të jepja ta rijetoja dhe një herë atmosferën paqësore të atyre mbasditeve, me vështrimin kritik të mamasë për të mos folur "shumë", por me krenarinë se vajza e saj bënte kafe të mirë sepse gjithë gjitonet e mburrnin....sepse janë pikërisht këto mbasdite që ma tërheqin mendimin edhe pas 10 vitesh dhe më bëjnë të thurr çarçafë me kujtime; unë nuk e di nëse 10 vite si tani ndonjë bisedë grupi në viber, whatsapp, messenger etj do t'ia vlejë të marrë statusin e kujtimit, por shumë dyshoj se jo...kafja shijon më shumë kur njeriun e ke përballë ose të paktën kështu e përjetoj unë.

I pershkruan kaq bukur keto ndjesi.... sepse te gjithe ne ato vite kemi pak a shume te njejtat kujtime.R.I.P nene Rajmese!
ReplyDeleteIrena
DeleteJane emocione qe kane lene shenje dhe kur dicka i gervisht kujtimet, fillojne krijojne po te njejten ndjesi...ne kete rast pozitive.
ReplyDelete