Çfarë është më mirë sesa të studjosh gjeografi? Është ta eksplorosh botën me këmbë.
Çfarë është më mirë sesa stërvitja në palestër? Është shëtitja e gjatë në natyrë.
Çfarë është më mirë sesa thashethemet në kafenenë e lagjes? Është socializimi me njerëz me të cilët ndan të njëjtin pasion....
Nëse ka një aktivitet që i përmbush të gjitha këto, është pikërisht marshimi në natyrë ose ecjet shumëorëshe në relievet e thyera që natyra ofron me aq zemërgjerësi.
Për ne fëmijët e rritur në vende malore, të krijosh një përqasje me malin dhe monopatet e tij, luginat dhe honet, duket gjëja më natyrale. Ti ndihesh si në shtëpi dhe shpirti yt shkrihet në një me ambjentin përreth, thith oksigjen i cili konvertohet në adrenalinë dhe shumë shpejt ndërgjegjësohesh se nuk ishte rastesi që e fillove këtë veprimtari, dikush të thirri...me kalimin e kohës do kuptosh se ai që thërret është pikërisht mali.
Për mua marshimet janë pasion. Në to gjej mundësinë për të ushtruar disa nga hobet e mia siç janë ecja, hulumtimi, fotografia, shkrimet mbi natyrën, kontakti i drejtpërdrejtë me florën dhe faunën që aq shumë më tërheq, njohja me vende të reja dhe kultura të shumëllojshme, tradita, specialitete gatimi, por dhe socializimi me njerëz të rinj, gjithnjë të ndryshëm, universe të veçantë secili syresh, të cilët përbëjnë në fakt dhe fokusin tim më të madh: eksplorimin e natyrës njerëzore.
Gjen mes tyre kaq alegri dhe entuziazëm, atë që shpesh herë qytetet e mëdha na e kamuflojnë nën petkun e përdishmërisë rutinore dhe stresit urban, saqë për një çast harron se je i njëjti person që ke qënë edhe dje me buzët e varura dhe me përtesën e shkruar në ballë dhe përfshihesh ashtu spontanisht mes shakash dhe bisedave të lira sikur të njiheshe prej kohësh...dhe mbi të gjitha, çuditërisht pa asnjë lloj keqkuptimi....
Ecja në natyrë ka avantazhe domethënëse si nga ana fizike ashtu dhe nga ajo shpirtërore, aq sa nga shumë studjues konsiderohet tashmë si një nga aktivitetet fizikë më antistresantë. Dhe vërtetë, gjeni një pikë krahasimi mes një tapeti lëvizës në një palestër mes një grumbulli veglash përreth dhe një ecjeje mes pemëve dhe luleve, duke dëgjuar cicërimën e zogjve dhe flladin e erës tek të fshin bulëzat e djersës që ndrijnë mbi ballë. A mundeni?!
Përveç kësaj, nëse jeni tipa si puna ime që lënda e gjeografisë përherë më ka torturuar, kjo është mënyra më praktike për ta absorbuar atë dhe më vjen keq që nuk na kanë edukuar qysh fëmijë me këtë mënyrë mësimnxënie: njohja nga afër e gjeografisë së vendit, qyteteve, fshatrave, maleve, lumenjve, deteve, shpellave, luginave, ishujve, llojeve të pemëve. Është pikërisht ky lloj eksplorimi, që sjell dhe mbajtjen mend për kohë shumë më të gjatë sesa studimi i literaturës dhe mbi të gjitha krijon emocione të cilat edhe pas shumë viteve të risjellin aromën e pishave, jodit, zogjëve, ujit të rrjedhshëm...të mbresave të pashlyeshme.
Por bën vaki të jesh rritur në qytet dhe të vetmet kafshë që njeh të jenë macet dhe qentë e lagjes. Upsss... ato nuk do ti gjesh në mal, as në bregdet, ndoshta në mes të qendrave rurale po, por kur ndërmerr marshime të tilla e sigurt është që do hasësh zogj nga më të ndryshmit, kuaj të egër, drera, arinj, derra, dhi të egra, ndoshta dhe ndonjë ujk (të mësuar me njerëzit :) Eh, do kesh trimërira pastaj për tu treguar miqve të tu dhe fantazira sesi dole një selfie me dhelprën kuqalashe. Të gjitha këto do të të bëjnë më të ndjeshëm dhe më të ndërgjegjshëm karshi të drejtave të tyre dhe nuk do të të lënë më indiferent kur një ditë do dëgjosh se aksh pyll u bë pre e zjarrëvënies nga persona të paskrupuj, apo kur në parlament të jetë duke u votuar një ligj për kthim në qendër të banuar të liqeneve artificialë.
E tepërt të themi pas gjithë këtyre të mirave, se eksperienca të këtilla të nxjerrin më të pasur në të tëra aspektet, fizikë, shpirtërorë, shoqërorë, civilë, në atë të përvojërave të krijuara të cilat do jenë si një valixhe e vyer për ditët kur pamundësia do trokasë në portën tuaj dhe ecjet e gjata dhe të qeshurat pafund do ti lënë vendin kujtimeve të bukura të treguara pranë ndonjë oxhaku, ose një buzëmbrëmje verore pranë detit dhe të gjitha vështrimet kurioze të jenë mbërthyer mbi buzët tuaja për t'ju bërë dhe njëherë protagonist të ngjarjeve të bukura që dikur zgjodhët ti ndani me plotë të tjerë.... dhe do ndiheni edhe një herë më tepër krenarë për veten dhe për përzgjedhjen e duhur që bëtë në jetë.
| Kur kolegët e zyrës shohin një pamje të tillë, imagjinojnë një supernjeri, por në realitet jam unë, një njeri mëse i zakonshëm me pasion të pazakontë për natyrën. |
No comments:
Post a Comment