14 shkurt 2010
Acar.
Male të
mbushur me borë dhe zemra të
mbushura me halle. C’bie jashtë, therr brenda; c’lëngon brenda, shpërthen
jashtë. Një kukuvajkë që vajton dhe një qen që kuit pa pushim. Një zemër që i
con rrahjet 190 por nuk dorëzohet. Asnjëhere
s’iu pata lutur aq shume acarit të frynte dhe të ngrinte kohën të
rridhte. Trishtimi për mua e ka një muaj dhe ai quhet SHKURT!
E dashur mami,
Pas shkurtit erdhi pranvera
dhe bota vazhdoi të levizë me të njejtin tik-tok, njerëz që rendin e jetë që
gëlon, ca me halle e ca me qejfe, ca me zorr e ca me fat. Për mua sigurisht,
pas një humbje të atillë, jeta s’mund të kishte ngjyra ylberi, por për të qenë
e sinqerte bota mu duk më e acartë se kurrë, thuajse për mua gjithë bota kishit
qenë ju. Vakuum i paskajshëm i një zemre të vogël që ishte mësuar me dashuri. Një
telefon që s’binte pothuajse kurrë dhe një derë që s’trokiste, një dorë që
s’hidhej shpatullave dhe një zë që s’i fliste zemrës. Më mundoi gjatë dilema se vdekja ndoshta ishte
e shkruar, po indiferenca? Njerëz të
afërt që u bënë të largët dhe të panjohur që u bënë shpëtimtarë. Ajo çka
perceprova këtë vit të vështirë ishte një njerëzim i kthyer përmbys. Vajtova
për kohë të terë në heshtje, gëlltita lotët të mos besdisja njeri,
ngërdheshesha që bota të mos kuptonte se vuaja...jam natyre krenare ashtu si
ti.
Por, jeta nuk i duron dot
qaramanët, ajo pretendon të jetohet, kështu që më dha si dënim dhimbje koke për
të më ndergjëgjesuar që ky do ishte cmimi i plogështisë sime. Ironike por u
binda, se dhe pa ty une do vazhdoja te isha....
Sot, 1 vit pas Teje, akoma
s’kuptoj se pse fati e solli gjithe kete zallomahi dhe pse zgjodhi të mi merrte
të dy prindërit. Pse mi mohoi festat në shtëpi? Pse me la si shpend pa krah?
Pse???
Tani i jap nje shpjegim
arsyes përse nguteshe të më perkedhelje aq shumë, të më trajtoje si fëmijë të
vogël, ndoshta ti e pate ndjerë se shpejt do më dorëzoje në këtë botë të akullt
dhe do më duheshin shumë rezerva për vitet në vijim....
Ja, erdhi sërish Shën
Valentini. Nuk më vjen keq që s’ do ta festoj më, por të paktën jam e lumtur se
kuptova që dashuria juaj ishte aq e madhe saqe Zoti vendosi t'ua bashkonte
zemrat në parajsë një ditë të ketillë.
Për mua, them se isha e
bekuar me një nënë si ty, të bukur në pamje dhe në shpirt, të ëmbël dhe tolerante,
të dedikuar deri në vetmohim, të dhembshur dhe zemërmadhe....një zemër aq e
madhe sa lejoi brenda ngjarje dhe njerëz që zorr se i fal kush dhe na ndalove
te mbanim mëri.
Unë nuk do qaj më fshehtas
mami, imazhi yt tani më është kthyer në
një energji kurajodhënëse që më ndihmon të sfidoj cdo vështiresi dhe pengesë. Sot
ndoshta s’jeni fizikisht, por ajo ç'ka latë pas e tejkalon forcën e fizikes,
është një shembull që rrezaton vlera, mirësi, dinjitet, njerzillëk dhe une them...Zot
faleminderit që këta ishin prindërit e mi!
I paharruar kujtimi yt
Nënë!!!
Tiranë më, 14.02.2011
Ps. Shpesh mëngjeseve
imagjinoj kur më ledhatoje flokët dhe më thoshe që kafeja ishte gati...askush
s’e ka bërë me qysh atëherë...


No comments:
Post a Comment