Wednesday, 10 February 2016

Keep calm and visit Tepelena....




Ekziston një qytet i vogël në Jug të Shqipërisë, që me zorr mbërthyer po përpiqet të mbajë titullin qytet. Ekziston një vend i bekuar që shtrihet në një sipërfaqe prej 431 km2 mes një kodrine të bleruar, përballë një vargmali hijerëndë, mbi një luginë ku gjarpëron e papërtuar Vjosa, lumi që i jep vitalitet gjithë Jugut, ku dielli e përshëndet me rrezen e parë që lëshon në horizont dhe yjet natën shtrojnë gosti në të cilën ftojnë gjithë galaktikat. Në këtë qytezë që po lufton për të mbajtur dinjitetin e saj si qytet, gjendet një kala 300 vjeçare, vlerat e vërteta të së cilës dhe banorët e saj zorr se i njohin realisht. Thonë se e ka vizituar Bajroni por shumë prej tyre ndoshta dhe s'e kanë vizituar asnjëherë, pasi rëndom konsiderohet lagje e qytetit, jo vepër hisorike. Por ka një kishë edhe një xhami të ndërtuara kohët e fundit për të kënaqur besimet jofetare të qytetarëve të saj. Vë bast se më tepër se kulte perendish kanë vlera arkitekturore dhe qëndrojnë si xhevahire në infrastrukturën e lodhur të qytetit. Ka tre heronj në shtatore, Mustafanë, Asimin dhe Abazin, një shkrimtar, Sali Nivicën, një komit, Selamin dhe një pasha, Aliun, të cilët i kujtojnë vizitorëve se është një pjesë e lavdishme e historisë së Shqipërisë. 

Në ditët e tij më të lumtura, kur rrugët dhe trotuaret gëlonin nga njerëzia, kur fqinjët përshëndesnin njëri-tjetrin nga ballkonet me zë, kur çamarokët zhurmonin atmosferën me harrakatllëqet e tyre dhe lokalet mbusheshin plot (kryesisht me burra, ah ato lokalet, qendra elektorale dhe tryeza debatesh, si dhe burime informimi për gjithçka ndodhte vërdallë) kujton ky qytet me mall se sa shumë banorët e donin, se si thurrnin plane për të rregulluar strehat e tyre dhe për të ngrysur jetën në komunitetin që ishte familja e madhe. Askush që s'ka jetuar në një qytet të vogël s'mund ta kuptojë kurrë sesi munden të 8949 banorët e tij të jenë familja jote, fakt për të cilin dhe ti vetë ndërgjegjësohesh fill në momentin që largohesh prej tij (!!!) Por ja që ndodh, mua më ndodhi dhe e kuptoj nga reagimi instiktiv kur zbuloj që ndajmë të njejtën vendlindje me dikë, më shkëlqen fytyra dhe biseda merr një tjetër hov, më të çlirët, më të hareshëm, më familjar.

Por ashtu si unë, shumë të tjerë vendosën një ditë ta dedikonim jetën dhe veprimtarinë e përditshme në qendra urbane më të mëdha, Tepelena diku na lodhi me provincialitetin e saj, jeta kulturore nëse kishte, shkoi drejt vaktësimit dhe mundësitë e punësimit ishin drejt zeros. Qyteti shpatullrënë tashmë si njeriu i dalë në pension, kundron me trishtim çdo ditë si të rinjtë e vetë marrin udhët e moskthimit, do donte shumë ti mbante pranë vetes dhe tu krijonte mundësi të mira jetese por e di dhe vete se jetojmë në kohë të vështira. 
Tepelena po plaket...dhe për këtë lavdia e saj si qytet po tkurret, të shumtë janë ata që ironizojnë faktin e të qënit qytet, madje ka nga ata që e kanë propozuar për komunë nëse numri i banorëve do bie nën një nivel të caktuar. Nuk mjaftohen deri këtu, por kur u thua nga vjen, ka ca syresh që nuk e fshehin përçmimin, thuajse Tepelena ka qënë gjithnjë një qytet i grahmave të fundit.

I dëgjoj këto dhe trishtohem...ata nuk e dinë se të rritesh në një qytet të vogël nuk është aspak një disavantazh. Vërtetë nuk rritësh me opera dhe balete, nuk ndjek fundjavave filmat më të fundit në kinema, nuk frekuenton qarqe intelektualësh apo trendet e modës, sepse shpesh herë vrazhdësia e ambjentit imponon një tjetër lloj jetese, pooor të gjitha këto që janë lehtësisht të rikuperueshme në një moshë më të vonë, në cilëndo moshë që vendos ti ndjekësh, ndërkohë që kontaktin njerëzor që qytetet e vogla ta mësojnë, empatinë, dhembshurinë, dashurinë për tjetrin, atë ndjesinë që s'je vetëm sepse aty është gjitonia të cilës mund ti trokasësh derën cilëndo orë të ditës, mënyra si njerëzit bëhen gardh ndaj dhimbjes tënde, gdhihen ngrysen në mort, në gëzim, janë aty me ty dhe për ty, të thonë atë mirëmëngjesin e parë dhe mirugdhifsh-in e funditës, solidarizohen edhe pse mund ti ndajnë milje, madje dhe kontinente, madje dhe vite të tëra pa u parë...është një shkollë më vete njerëzore jeta në to, të cilën s'ka metropol apo klasë e lartë që e ofron. 

Tepelena është një qytet dhe besoj se do mbetet i tillë me dëshirën e mirë të njezëve që e duan dhe përpiqen për të, si ata që jetojnë aty por dhe të tjerët që e kujtojnë me nostalgjinë e viteve të bukura. Ndonjëherë e kap veten duke numëruar ditët për të shkuar një vizitë apo duke shëtitur me fantazi nëpër rrugët e saj, duke pirë një kafe me gjitoninë apo duke shijuar ajrin e freskët dhe ujin e ftohtë. Në është verë ëndërroj lumin e jeshiltë dhe rrepet pompozë që bëjnë fresk më mirë se një kondicioner marke, mikpritjen e banorëve dhe gatimet e shijshme tradicionale, përfytyroj magjinë sesi përfshihem në një gjendje të paqtë dhe të frymëzuar që dhe medituesit më të mëdhenj do kishin zili sepse të tilla potenciale energjie ka ky vend i vogël që i do njerëzit shumë. Dhe në guxoftë dikush të më thojë një argument ndryshe do ti ofrohem të marrë sytë e mi dhe ta shohi, Tepelena sa bukuri fsheh... 

Ndaj të gjithëve u them, mos hezitoni, vizitojeni qytetin tim! Ju do pasuroni shpirtin dhe kujtimet, do krijoni miq për kokë dhe dyer e zemra të hapura, në njëfarë mënyre do përfitoni nga zemërgjerësitë e saj por nga ana tjetër në këmbim dhe Tepelenës do i jepni shpresën dhe dinjitetin e të qënit ndër shekuj qytet.   







No comments:

Post a Comment