Monday 15 May 2017

GUXO(N) TË NDRYSHOSH!!!(?)

-Kuptoje, askush nuk na premtoi lumturinë për këtë jetë,- foli mendueshëm dhe e thithi fort cigaren sikur të ishte e fundit herë që e vinte në buzë.
-Kuptoj,-ia ktheva. Atëherë nëse s’është lumturia ajo çka i vihemi pas si langonj në këtë udhëtim, çfarë është ai stimul që na mban kandilin e shpresës ndezur?! Nëse njëra ditë do të ishte e ngjashme me tjetrën, a nuk do të ishte më e udhës ta thjeshtonim pak këtë të shkretë jetë nga tragjizmat dhe të jetonim si shpellarët e qëmotit duke u marrë me gjueti, bujqësi, bukë, gjumë dhe ç’të sillte moti?! 
Ai nuk foli, por nga shprehja e fytyrës u duk qartë që s’i pëlqeu qëndrimi: Ohu, ka kosto lumturia, kush lufton dhe për të, mjaftojnë qeratë, taksat, faturat, borxhet tona, borxhëllinjtë tanë, mjafton gjithë kjo andrallë e ashtuquajtur jetë që më tepër përngjet me një betejë për të cilën as dihet çmimi se për fitues s’bëhet që s’bëhet fjalë, në finale të gjithë 2m dhè do marrim.
 
....Diçka murmuriti, nëpër të diçka murmurita dhe vetë, tashmë e kisha kuptuar plotësisht se...të konstatoje ishte diçka dhe të ndryshoje ishte diçka krejt tjetër. Njerëzit merren me konstatime krysisht sepse është më e rehatshme, nuk nevojitet të lëvizësh nga pozicioni ndenjur, mund të kesh të drejtë me teorinë tënde dhe mbi të gjitha, kur i ke vënë të gjitha pikat mbi “i„, ke njëkohësisht dhe luksin e të ndjerit triumfator. 
Konstatimi shpesh për të mos thënë gjithnjë, të jep besimin dhe shijen e ndryshimit, andaj dhe gjindja më së shumti vegjeton... 

Por, të ndryshosh kërkon mundim, kërkon lëvizje, nevojitet të marrësh parasysh kokëkrisjet, përplasjet, plagosjet e ndoshta dhe ndonjë vragë të thellë që të çon në zgrip të jetës. Mbase është kjo arsyeja pse njerëzit zgjedhin të parin dhe jo të dytin, kapin fort rutinën si kolonën zanore të jetës dhe lëvizin në ritmin e saj, i cili edhe pse mund të kumbojë si daulle shpesh, të shumtën e kohës të nxjerr në anën tjetër pa shumë tallaze. 

Të konstatosh është të pranosh rutinën si vijën tënde melodike, të ndryshosh është të krijosh një melodi të re. Jo gjithmonë mund të jetë e bukur kjo melodi e re, por ajo mbart në vetvete magjinë e krijimit, i cili mbush qënien njerëzore me lumturi. Prandaj njerëzit shpesh thonë se lumturia nuk ekziston. Janë pikërisht ata, konstatuesit, që nga kolltuku i rutinës demoralizojnë çdo guximtar të të parit dhe bërit gjërave ndryshe. Por e vërteta është se lumturia ekziston për çdokënd që pranon qënien e saj dhe përpiqet për të gjetur akordin e duhur me jetën, shoqërinë dhe natyrën, për të nxjerrë atë tingullin e bukur që i jep gjallëri dhe shpirtit më të zhuritur nga dhimbja...

Guxo të ndryshosh atë çka s’të pëlqen, s’të përshtatet apo atë çka zverdh ditët e tua si tym kandili, qoftë ky një zakon, një traditë, një mentalitet, një punë, një shok, një i afërm, një mënyrë jetese...dhe nëse ia del, qoftë dhe me dhimbje, ta dish se jeta e gjen mënyrën për t’ia shpërblyer mundin guximtarit...me medaljen e lumturisë.


Saturday 3 December 2016

GARDEROBA



Jeta është si një garderobë...

Në fillim janë kushtet ekonomike ato që të kushtezojnë ta mbushësh poor përzgjedhja e përmbajtjes është totalisht në dorën tënde; rroba sportive apo klasike, moderne apo chic, ekstravagante apo e thjeshtë, me shumëllojshmëri ngjyrash apo me pak nuanca të caktuara, punk apo rap, pas trupit apo të lirshme....nga dyqane masive apo stilime të dedikuara, cilësore apo pakpërdorimshme...dhe variacionet vazhdojnë. 


Çfarë e kushtëzon një veshje?! Pozicioni i punës? Statusi shoqëror? Statusi familjar? Statusi financiar? Personaliteti i individit? Kultivimi i gustos?
Në të njëjtin kontekst edhe ballafaqimi me jetën kërkon të njejtat premisa dhe vendimarrje...prandaj ashtu siç hap derën e garderobës çdo mëngjes dhe vendos me vetësiguri përzgjedhjen e rrobës që të përmbush sensin e kënaqësisë kur pērballesh me veten në pasqyrë, në të njëjtën llogjikë duhet të funksionojë dhe përzgjedhja e elementëve të jetës që përmbushin sensin e kënaqësisë shpirtërore të saj. Tani pyetja që lind natyrshëm është, sa rëndësi u japim këtyre përzgjedhjeve dhe sa tentojmë ti përmirësojmë ato? Në varësi të përgjigjes, kuptojmë dhe pse jemi kështu siç jemi dhe përse zgjedhim të fajësojmë gjithçka përveç nesh nëse asgjë nuk ndryshon në pamjen apo jetën tonë.
Sot është e premte dhe me një veshje trendy e një gotë birrë mund ti jepte një shije simpatike ditës...por jam e sigurt që shumica prej nesh do rrinte 3 orë para garderobës për të përzgjedhur veshjen dhe vetëm 5 minuta për të menduar se ku dhe si ta kalojnë një kohë cilësore me veten ;) 

Monday 24 October 2016

Monologu i një qeni të braktisur


Nuk shoh më, nuk dua të shoh... ndjej. Nuk është se e kam humbur shikimin, por jeta më ka mësuar të mos u besoj më syve të mi, diçka më e thellë është e vërteta, ndaj kur më flisni mos u mundoni të dalloni një mendim në sytë e mi, ata janë tashmë vetëm një dekor i fytyrës sime ose një dritare nga ku mund të sodis bukuritë e Universit. 

Kur isha më i ri dhe i parrahur me jetën, një buzëqeshje do na ngrinte zemrën hop, do rendja me vrap për të rrëmbyer të  parën përkëdheli, të parën lëvdatë e pastaj do turresha përpara për tu bërë mbrojtës i betuar i buzëqeshjeve, detyra ime ishte ti ruaja me fanatizëm ato, njerëzit që kisha pranë nuk duhej kurrë ti humbisnin.
Ishin kohë të bukura, nuk mund të them, kohë me bollëk dhe moskokëçarje, lodhesha vërtetë në turravrapin e përditshëm por nuk ndjeja përtesë, ideali mbi të gjitha kishte rëndësi dhe unë isha roja i tij. Ideali i të gjendurit njerëzve pranë kur kishin nevojë...

Çuditem me njerëzit kur thonë "qen i pabesë", asnjëherë s'u përpoqa të bëja diçka që i prekte ata, kurse ata...oh, ata, kur lëvizën nga shtëpia modeste drejt një apartamenti më të mirë, e menduan si më të udhës të më jepnin lirinë time. E ç'ta bëja unë lirinë kur thuajse gjithë jeta ime kishte qënë një mision për të mbrojtur familjen time?! U irritova pa masë, por veç një dhimbje të fortë në stomak dhe netëve pa gjumë, asgjë tjetër nuk qullosa, isha në kolaps total. Më besoni, nuk paska ndjenjë më gërryese se zhgënjimi pas një dedikimi! Qysh atëherë fillova të humbas besimin dhe vërtetë jam kthyer në një  të pabesë apo të pabesim. Dalëngadalë fillova të mos u besoj më as syve të mi, ata më morën në qafë...ato buzëqeshjet hokatare, ato përkëdhelitë e shpenguara në dukje që e kanë një datë skadence në fakt.  

Nisi për mua një etapë e re. Këtu jeta nuk mbaroi, përkundrazi, sosi ajo e gënjeshtërta, vitrina, nga ajo ditë filloi jeta e vërtetë. Ishte momenti kur vendosa të mos shoh më, por të ndjej. Nuk është se bota papritmas u bë më e bukur, siç mund të imagjinoni, nuk është as se pushova së zhgënjyeri herë pas here nga njerëz që tinzarllëkun e kanë kthyer në art, por të paktën i krijova zemrës sime një mburojë pothuaj hermetike, për ta ruajtur atë nga mirësitë e rreme. Mësova të mos i shoh më njerëzit as nga ajo që thonë e as nga ajo që përpiqen të më bëjnë të besoj...veprimet e tyre kanë një zë më kumbues nëse di të ruash qetësinë dhe të mos hutohesh pas gjesteve shpërqëndruese. Unë e kam mësuar këtë marifet tashmë dhe mund të deklaroj me garanci pothuaj të plotë se kam arritur ti njoh njerëzit duke i ndjerë ata.

Talenti i ri që kam fituar më ka bërë të kuptoj se shumica e tyre lundrojnë në pellgun e kompleksiteteve që përftojnë gjatë gjithë jetës së tyre ku varkë kanë improvizuar egoizmin e tyre kurse rrema kanë shndërruar ata që iu dedikohen.  Nuk është kamja apo ngritja në pozita shoqërore ajo që i kthen ca syresh në vampirë  zemrash, nuk janë as arritjet në jetë; mirëqënia në rastin më të mirë do i bënte më bujarë dhe në rastin më të keq më sensibël karshi atij më të dobëtit. Nuk janë as vuajtjet dhe as përpjekjet për ti arritur të mirat që kanë, përkundrazi ato do i bënin të vlerësonin më shumë  ndihmën e të tjerëve. Njerëzit që të flakin pasi u ke shërbyer, i kanë dhënë sinjalet por ti nuk ke patur sy për ti vërrejtur ato, sepse e vetmja gjë që të ka interesuar është tu shërbesh, tu jesh afër dhe të ndihesh i vyer për ta. Provo në një marrëdhënie të tillë të rebelohesh, të mos shkosh sipas rregullit të caktuar prej tyre, provo tu prishësh rehatllëkun apo të krijosh një rehatllëk dhe për vete, provo! Provo dhe mos thuaj pastaj që u zhgënjeve kur të përzuri, sepse zgjodhe vetë të shihje kur duhet të ndjeje... erën e pabesisë njerëzore. 

Mos u ligështo, të dhëmb e di, jeta qenka një dhimbje e madhe...por mos mendo se dikush është i përjashtuar nga kjo. Qofsh ti qen rrugësh apo njeri vilash, kur dhimbja troket, ke nevojë për të gjithë ti kesh afër, si ata që mbajte dhe ata që flake...ndryshimi qëndron se kur je mësuar të flakësh, me gjasë në ditën e madhe.... s'do kesh askënd aty për ty.... 

Sunday 23 October 2016

Cigarette

Unë jam cigarja. 

Nga hiri im i mbetur sonte, po mbledh forcat t'ju shkruaj historinë e jetës sime. E di që shumë nga ju më keni gjykuar dhe shumicën e kohës më keni konsideruar si fytyrën e të keqes. Mund ta kuptoj thjesht fare nga fotografitë e mia varur gjithandej me shenjën e ndalimit mbi to, nga diskutimet e shumta nëpër TV, nga taksat në rritje që i vini shpërndarjes sime. Unë jam e padëshirueshme dhe jam plotësisht e ndërgjegjshme për këtë! Unë jam ky sendi i vogël pas të cilit keni varur hallet, shpresat, dhimbjet, ankthet, tangelliqet dhe prapë mbetem e urryer. Më keni dënuar pa më dëgjuar, më përbuzni pa ju ngacmuar, a nuk më takon dhe mua një e drejtë legjitime mbrojtje para ekzekutimit?! 

Përpara se të katandisesha në hir, isha dhe unë dikur një bimë e bukur që jeshilonte kodrinat në hektarë të tërë. Kur flladi frynte dhe përkundte gjethet, një valë hareje përhapej nëpër të gjithë pllajën, ndihej sikur deti kishte marrë ngjyrë të blertë dhe kishte sjellë baticën atyparë. Lulëzova dhe unë si gjithë të tjerat, duke ndjerë mrekullinë e jetës tek lëvrinte nëpër kapilarë dhe bota ishte një gëzim, derisa...derisa dikush vendosi të më këpuste fillin e jetës dhe të më nënshtronte në një procedurë të dhimbshme tjetërsimi; tharje, stazhionim, prerje, presim, filtrim, paketim, izolim...Dikur një bimë plot gazmend, tani një send pa jetë futur nëpër paketa-arkivole. Vdekja ime për kënaqësinë e njerëzve!!! Sa do mund të duroja?! Më prenë jetën, më torturuan, më fabrikuan, më tregëtuan dhe në fund më vunë flakën thjesht sepse disa nuk janë të zotë ti rezistojnë realitetit pa paterica mbështetur tek të tjerë. As vetë nuk arrij të kuptoj varësinë që krijoj...jam unë apo dhimbja ime e presuar në një tub letre që më bën aq tërheqëse ndaj vesit njerëzor?! Nuk mund ta them me siguri absolute, por di që sa më fort buzët thithin filtrin që më kanë vendosur si nënkresë, aq më tepër dhimbja ime kërcëllen dhe zbret drejt mushkërive me revoltë të paparë. Ato çaste ndjej se dua ti vras njerëzit! Ato çaste kërkoj shpagim! 

Më kuptoni, nuk kam asgjë me racën njerëzore. E imja nuk është një luftë në thelb, është një vetëmbrojtje, ti më vret-unë të helmoj. A nuk duhet të trajtohet vetëmbrojtja ime si rrethanë lehtësuese ndaj dënimit dhe të më lejojnë të jetoj e lirë tek kodrina, ku rrezet e diellit të luajnë me kloroplastet e mia dhe era të krijojë vizione dallgësh deti në qëndër të tokës?! Të më lejojnë të gjelbëroj biotopin tim dhe ti jap piktorit ngacmimin e duhur për të kapur penelin, fotografit impulsin për të rrëmbyer kamerën, vjeshtës zilinë ndaj pranverës, tokës pak më tepër bukuri?! E di që kërkoj shumë...veshët e mi kanë degjuar pa fund histori homo sapiensash për të besuar në një fisnikëri të tillë të natyrës njerëzore. A nuk e përdorin dhe ata sho-shoqin në këtë mënyrë dhe në fund e flakin kur nuk u hyn më në punë?! A nuk flasin dhe ata për ngritje nga hiri i pabesisë njerëzore për një hakmarrje të merituar?! Pak a shumë ky është dhe rasti im, ndaj do ju kërkoja ta hiqni fotografinë time nga këndi i të keqes, nuk më takon. Nuk jam unë për te banka e të akuzuarit, unë jam veç viktima. Vendosni aty njeriun! Ai dhe vetëm ai është e keqja e vërtetë që i kanoset botës....dhe nëse s'ndërgjegjësoheni për këtë, atëherë mos u çudisni kur cigarja e kthen në hir njeriun pas ca vitesh....








Monday 19 September 2016

Në provincë

Mbi mal u duk reja e parë.
Të moçmit thoshnin se kur ndodhte kjo, shiu nuk do vononte t’ia behte, e çfarë shiu se! Në qytezën e vogël ku asgjë nuk lëvizte pas mesdite, fenomenet atmosferike përbënin një nga temat e preferuara të bisedave të banorëve...
-Do bjerë shi sot,- theu heshtjen Safetja.
-Epo shyqyr nuk thua xhanëm, do lajë rrugë e trotuarë se na mbyti pluhuri, s’lemë dot dritaret hapur,- ia ktheu e vjerra.
-Nuk do na thahen rrobat në ballkon. Kisha planifikuar të hekurosja në darkë pasi të mbaronte seriali turk,- u ankua e reja.
- Ke punë plot aty,-mërmëriti e moshuara, - mund të nxjerrësh rrobat e gjata të Afrimit e ti ajrosësh. Do kenë marrë erë kaq muaj mbyllur në dollap.
- Po është akoma fund gushti moj mama,- turfulloi nusja, por nuk e zgjati më bisedën. E kishte kuptuar më në fund se të replikoje me vjerrën do të thoshte të nisje një roman që vetëm fillimin kishte të ditur, fundi s’merrej dot me mend. E megjithatë kur mendohej thellë thellë pranonte se vjerra kishte të drejtë; 30 vjeçe, me dy fëmijë, pa punë, si mund të shtyhej gjithë ajo ditë e gjatë e Perëndisë?!

E vjerra nga ana tjetër e kishte kapur thelbin, nxirrte punë pa punë, po punë që duheshin bërë nga duart e nuses ama… Ufff,- rrobat e Afrimit, psherëtiu dhe u nis me përtesë drejt dollapit.


-Palos,shpalos, laj, thaj, hekuros, palos, vendos…ah more dollap i uruar, si nuk u lodhe dhe ti duke mbajtur të njëjtat rraqe nëpër rafte. Ti i mban, unë i laj, ai i vesh, shpërblehemi ndonjëherë për këtë që bëjmë?! Ti të paktën mbase e merr ndonjë llustër tek tuk, po unë?! Marr dhe unë ndonjë lëvdatë nga vjerra, Zoti i dhëntë jetë se ndryshe do ngelesha duke folur vetëm me ty në tërë këtë shtëpi. Ai punon. Punon thotë, kushedi ç’bën gjithë ditën. …Ufff iku dhe kjo punë. Ti hap në ballkon tani të ajrosen. Do dhe ndonjë orë të mire akoma të fillojë seriali.

Retë u grumbulluan ndalëngadalë mbi qytezë.

-Do na mbyllë brenda ky shiu,- psherëtiu e reja.
-Pse ku kishe ndërmend të veje?- pyeti me vështrimin prej hetuesi vjerra.

Mbi asfalt kërcitën pikat e para të shiut dhe në ajër u ndje aroma e tokës së lagësht, në dhomë era e kafesë guduliste hundën ndërsa e reja mezi priste orën të fillonte seriali turk, atje dramat janë më të mëdha se vaktësia e ditëve në provincë…po, vaktësia është shumë herë më mire se dramat shpesh herë, ndaj dhe s’do ankuar shumë...




Monday 7 March 2016

Për heroinën time...


Nesër është 7 Marsi, festa e mësuesit. Në një ditë si kjo e sotmja, shtëpia jonë do zhurmonte nga tepsitë ..mamaja do zinte gatimet e amaretave dhe karkanaqeve për të kënaqur nxënësit e saj. Në një tenxhere do vendoseshin përbërësit e likerit me aromë barbaroze kurse ne vajzat do urdhëroheshim për blerje të karameleve apo punët e shtëpisë (vajzat e mëdha).
E kujtoj si tani aromën e mimozave që vinte nga rrugët e qytetit, Tepelena ishte e mbushur me pemë të tilla dhe në shtëpi brenda nuk do mungonte një buqetë e madhe në një ditë të tillë.
Mami i donte shumë fëmijët. Për vite të tëra kujtoj se mbasditeve do kishim ndonjë syresh në shtëpi, nga ata që çalonin në mësime. Do ti jepte një mollë a një portokall, nga ato që sistemi na i lëshonte me pikatore madje ndonjëherë u jepte dhe rroba nga tonat nxënësve që vinin nga fshatrat të lagur në dimër.
Mamaja ime ishte një heroinë e heshtur, nga ato që s'qëmtojnë postet dhe gradat. Ngarkuar me 40 e ca fletore përditë në dorë, ajo nuk dinte ç'ishte koha për fëmijët e saj në shtëpi, kishte për të korrigjuar detyrat e nxënësve, për të bërë planin e punës me atë shkrimin e saj kaligrafi dhe për tu përgatitur për mësimin e së nesërmes.
Nuk kishte rroba shumë nëna ime, nuk bënte shumë tualet, por kishte një zë të ëmbël dhe një buzëqeshje që ndriçonte klasën....dhe nxënësit e donin. Po, ata e donin me gjithë shpirt...se fletoret e tyre nuk dallonin nga nxënësi i keq tek i shkëlqyeri, sepse kuptonin se trajtimi i tyre nuk ndryshonte nëse bëhej fjalë për fëmijë kryetari apo punëtori, sepse tek sytë e saj lexonin pasionin për ti mësuar dhe për tu kultivuar dëshirën për dijen...Ata e vlerësonin dhe e tregonin çdo 7 Mars dhe të gjitha vitet pas daljes në pension të parakohshëm.
Shtatori i fundit në arsim do ishte dhe dekorata më e lartë pasi pa këmbënguljen e prindërve për të mos e lënë arsimin, lutjen e shumicës së tyre për ti marrë ajo fëmijët e tyre në klasë të parë...
E ç'ë nëse Tepelena festoi kaq 7 Marse dhe kaq 1 Shtatorë, ç'ë nese organizuan kaq përvjetorë, ç'ë nëse dolën kaq intetektualë të shkëlqyer nga duart e saj dhe ç'ë nëse shpërndanë pa fund dekorata për miq e tarafë...heroina ime e heshtur edhe sikur sot të ishte gjallë, do kujtonte me mall ditët kur krahët e të vegjëlve do ti lidheshin në qafë dhe zërat e tyre si cicërima do ti uronin "Gëzuar 7 Marsin Mësuese!"
Kjo është mamaja ime, vajza dropullite që u mësoi brezave të tërë të tepelenasve gërmat shqipe, me përkushtim, pasion dhe shumë dashuri për fëmijët, një shëmbull për tu marrë nga ata që sot kanë zgjedhur profesionin e vështirë të mësuesit,...në këtë botë monstruoze, të jenë si ajo në lartësinë që u jep titulli mësues.


Athine, 6 Mars 2015